Powered by Blogger.

Ç’bën Obama pasi fle gruaja e tij

Sunday, September 16, 2012



Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, kalon deri në tri orë në internet me “iPad”-in e tij, dhe shikon sport në televizor, pasi gruaja e tij bie të flejë.
Përkundër udhëheqjes së botës së lirë dhe kandidimit për rizgjedhje, i pari i Shtëpisë së Bardhë ka zbuluar se ai dhe bashkëshortja e tij, Michelle, e kanë një rutinë të mbrëmjes të ngjashme me miliona çifte të tjera.
“Prej kohës kur bashkëshortja e tij shkon për të fjetur, rreth orës 10, derisa ai vetë të shkojë në shtrat, në orën 1, Obama shijon privatësinë më të madhe që mund ta gëzojë”, sipas një rrëfimi të ri për jetën e tij të përditshme.
“Askush, përveç tij nuk e di saktësisht se ku ndodhet ai apo çfarë është duke bërë. Ai, natyrisht, nuk mund të largohet nga shtëpia, por mund ta shikojë ‘ESPN’-në, ta përdorë internetin në ‘iPad’, të lexojë libra, dhe të thërrasë udhëheqës të huaj në zona të ndryshme kohore”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka thënë revistës “Vanity Fair”, të cilës i është dhënë qasje e paprecedentë në presidencë gjatë tetë muajve të fundit, se ai zgjohet në orën 7 të mëngjesit, para se të bëjë ushtrime në palestrën e Shtëpisë së Bardhë për një orë.
“Duhesh të ushtrosh”, ka shpjeguar ai, “ose në një pikë të caktuar do të kapitullosh”.
Ai më pas ndërron veshjen, të cilën ia zgjedhin të tjerët, dhe ha mëngjes, përbërjen e të cilit po ashtu nuk e zgjedh vetë.
“Unë nuk dua të vendos se çka të ha apo çka të vesh”, ka thënë ai. “Kam boll vendime të tjera për të ndërmarrë”, është shprehur presidenti Obama.
Ai ka kujtuar se ka shëtitur, i trembur, gjatë natës së tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Por, pasi është ambientuar, ai dhe zonja Obama kanë gjetur një vend të pëlqyer – ballkonin “Truman” – ku ata rrinë në mbrëmje. “Më jashtë se kaq s’mund të ndihesh”, ka thënë ai.
Obama ka vajtuar humbjen e “momenteve të rastësishme” të jetës së zakonshme. “Nuk takon në ndonjë restorant ndonjë mik të cilin s’e ke parë prej vitesh”, është shprehur ai.
“Mungesa e anonimitetit dhe e befasisë është një gjendje e panatyrshme. Adaptohesh me të, por s’mund të mësohesh me të”, ka shpjeguar numri një i Shteteve të Bashkuara.
Përkundër tonit intim, artikulli është shqyrtuar me mjaft kujdes nga stafi i Obamas. Një bisedë, gjatë së cilës ai është bërë shumë emocional, është urdhëruar prej Shtëpisë së Bardhë që të hiqet nga shkrimi, që “mbase kryekomandanti amerikan të mos përshkruhet i përlotur”, sipas gazetës amerikane “The New York Times”./Indeksonline/ 
Share this article on :

0 comments:

Post a Comment

 
© Copyright 2011-2012 Shtypi Online All Rights Reserved.